Secondary Adv

KESH, 3.38 mln euro energji për fundin e Gushtit, temperaturat rrisin kërkesën

Teksa temperatuart e larta kanë rritur kërkesën për energji, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka realizuar një blerje për periudhën 22–30 gusht 2026, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore.

Në total, janë kontraktuar 25,605 MWh energji, ndërsa përllogaritjet mbi sasitë dhe çmimet e ponderuara të publikuara e çojnë faturën e blerjes në rreth 3.38 mln euro.


Blerja e fundit vjen rreth një muaj e gjysmë pas procedurës së zhvilluar në fillim të korrikut, kur KESH realizoi importin e parë të energjisë për vitin 2026. Në atë procedurë u kontraktuan 331,200 mWh për periudhën 1 korrik–30 shtator, me një çmim mesatar prej 125.47 euro/mWh dhe një vlerë prej rreth 41.6 mln euro, pa TVSH.


Ajo procedurë ndryshonte nga praktika e zakonshme e korporatës për blerje javore apo afatshkurtra, pasi energjia u sigurua për të gjithë tremujorin e tretë. Ndërkohë, procedura e fundit rikthen blerjet për një periudhë më të shkurtër dhe me një çmim mesatar rreth 6.4 euro/mWh më të lartë se ai i kontraktimit të korrikut.


Nevoja për importe rritet zakonisht gjatë sezonit të verës, kur rënia e prurjeve në Kaskadën e Drinit kombinohet me konsumin më të lartë të energjisë. Edhe gjatë vitit 2025 KESH importoi energji, ndërsa sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, fatura e blerjeve gjatë vitit të kaluar arriti në 272.2 mln euro me TVSH. /Scan


Më të lexuarat